Martesa e Teuta Rugovës dhe Agron Gjeloshit – Abdixhiku pjesë e ceremonisë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka marrë pjesë sot në ceremoninë martesore të Teuta Ibrahim Rugovës dhe Agron Nikë Gjeloshit, e cila u mbajt në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë. Ai ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Albina Abdixhiku.
Në një postim publik, Abdixhiku e cilësoi ceremoninë si një ngjarje plot dritë, ndjenjë dhe dinjitet duke theksuar trashëgiminë e thellë familjare dhe kombëtare që bashkon dy familjet – Rugova dhe Gjeloshi – me historinë e Kosovës.
“Teutës dhe Agronit, të rritur në familje të lidhura ngushtë me rrugëtimin historik të Kosovës, ju uroj jetë të gjatë, të mbushur me dashuri, respekt e bekime të pafundme,” shkroi Abdixhiku duke shprehur urimet e tij edhe për familjet e të sapomartuarve.
Në veçanti, ai përshëndeti zonjën Fana Rugova, nënën e Teutës duke e cilësuar si figurë që “vërtetë shkëlqente në këtë ditë”.
Ceremonia u zhvillua në një atmosferë solemne dhe festive duke bashkuar të afërm, miq dhe personalitete të njohura nga jeta publike e vendit. /Kosova.info/
