Trump hedh poshtë planin e Francës për njohjen e Shtetit Palestinez: Ajo që thotë Macron nuk ka rëndësi
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka minimizuar ndikimin e vendimit të Francës për të njohur shtetin palestinez, duke e cilësuar këtë veprim si të pakuptimtë dhe se nuk do të ndryshojë asgjë në konfliktin e Lindjes së Mesme.
“Shikoni, ai është një lloj tjetër njeriu,” i tha Trump CNN-së për homologun e tij francez, Emmanuel Macron. “Ai është në rregull. Ai është një lojtar ekipi, pak a shumë. Ja lajmi i mirë: Ajo që thotë ai nuk ka rëndësi.”
Njoftimi i Macronit, i bërë vonë mbrëmë në mediat sociale, se Franca do të njohë zyrtarisht shtetin palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator, erdhi si surprizë për shumëkënd. Franca bëhet kështu anëtari i parë perëndimor i Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe kombi i parë i G7 që ndërmerr një hap të tillë.
Ndërsa Izraeli reagoi ashpër, dhe Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, deklaroi se ky veprim “i shërben vetëm propagandës së Hamasit dhe pengon paqen”, Trump dukej më pak i shqetësuar. Rubio shtoi se “është një shuplakë në fytyrë për viktimat e 7 Tetorit”, duke iu referuar sulmeve të Hamasit.
Në kundërshtim me këtë shqetësim, Trump e përshkroi vendimin e Macronit si një “ushtrim të padobishëm”.
“Ai bëri një deklaratë, Franca, Macron. Deklarata nuk ka asnjë peshë,” theksoi Trump. “Ai është një djalë shumë i mirë. Më pëlqen. Por ajo deklaratë nuk ka peshë.”
