​Çmimet e naftës bien nën 69 dollarë

Çmimet e naftës ranë nën 69 dollarë në tregjet ndërkombëtare sot, mes sinjaleve nga Uashingtoni se mund të miratojë furnizime të kufizuara nga Venezuela.

Në tregun e Londrës, një fuçi u tregtua me 68.85 dollarë pas mesditës, 33 centë më poshtë nga mbyllja e djeshme. Në tregun amerikan, një fuçi u tregtua me një çmim 64 centë më të ulët, në 65.61 dollarë.

Në fund të javës, vëmendja e tregtarëve u tërhoq nga informacioni se Uashingtoni mund të lëshonte leje për operacione të kufizuara në Venezuelë për një grup kompanish vendase.

Kabineti i presidentit Donald Trump po shqyrton lëshimin e lejeve për partnerët kryesorë të kompanisë shtetërore të naftës venezuelase PDVSA, përfshirë Chevron, thanë katër burime.

SHBA mund të lejojnë kompanitë vendase të bëjnë pagesa për nënkontraktorët dhe importet që do të lejojnë vazhdimësinë e biznesit, thanë dy burime. Një pjesë e importeve mund të shkëmbehej me naftë venezuelase, si në lejet e mëparshme.

Në shkurt, Trump i tërhoqi lejet, duke u kërkuar kompanive të mbyllnin të gjitha transaksionet në Venezuelë deri në fund të majit, duke argumentuar se qeveria e presidentit Nicolas Maduro shkel normat demokratike.

Burimet shtuan se kabineti tani do të vendosë kushte për lejet e reja në mënyrë që paratë të mos shkojnë në buxhetin e shtetit të Karakasit, raportojnë mediat britanike.

Lejet do të kthenin në treg mbi 200 mijë fuçi naftë venezuelase në ditë dhe do të lehtësonin furnizimin me naftë.

Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) njoftoi se shporta e naftës e anëtarëve të saj u rrit me 88 centë në 71.19 dollarë për fuçi të enjten.


Go to TOP