ORCA: Dy milionë euro më pak në 2024 për universitete publike
Buxheti i ndarë për universitete publike në vitin 2024 ka qenë rreth dy milionë euro më i ulët, krahasuar me 2023. Universiteti i Pejës “Haxhi Zeka” ka shënuar më së shumti të ardhura në vitin e kaluar, ndërkaq Universiteti i Gjilanit “Kadri Zeka” ka shënuar një ulje të të ardhurave.
Kështu u tha të enjten në raportin për Menaxhimin e Financave në Universitetet Publike të publikuar nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), raporton KosovaPress.
Drejtori i organizatës ORCA, Rron Gjinovci tha se një shumë simbolike e mjeteve është ndarë sa i përket financimit shkencor në universitete.
Ai tregoi se Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” merr pjesën dërmuese të buxhetit të ndarë për universitetet publike në Kosovë.
Derisa prezantoi raportin, Gjinovci potencoi se puna sistematike e raportimit të kësaj organizate, sa i përket shtesave që kanë marrë stafi menaxherial nëpër universitete, ia ka kursyer taksapaguesve të Kosovës mbi 1 milion e 800 mijë euro.
Gjinovci: Buxheti për universitete publike 2024 për rreth 2 milionë euro më i vogël
“Buxheti për universitetet publike në 2023-ën dhe 2024-ën, mundeni me pa që në 2024-ën ka qenë për rreth 2 milionë euro më i vogël. Shumica e buxhetit shkon për paga dhe mëditje, mallra dhe shpenzime komunale, shpenzime kapitale dhe subvencione dhe transferime ku mund të hyjë pak edhe aspekti i financimit shkencor në universitete, është një shumë simbolike pasur parasysh që jemi duke folur për tetë universitete publike. Universiteti i Prishtinës e merr pjesën dërmuese të buxhetit të ndarë për universitete publike në Kosovë…Ka pasur një rënie të vazhdueshme sidomos te pjesa e shtesave… Prej 836 euro (në vitin 2019) kemi arritur në një mesatare prej 534 eurosh në vitin 2024… Puna sistematike-periodike e raportimit tonë si projekt, por edhe si organizatë lidhur me këtë çështje ia ka kursyer taksapaguesve të Kosovës diku rreth 1 milion e 869 mijë e 633 euro. Ne besojmë që janë kursyer për shkak të kritikës sonë dhe për shkak të public shaming (turpërimit publik) që e kemi bërë prej vitit 2019 deri sot”, tha Gjinovci.
Ndër të tjera, Gjinovci tha se Universiteti i Prishtinës ka pasur rënie të vazhdueshme sa i përket të të ardhurave mujore dhe shtesave mesatare mujore.
Ndërkaq, siç tha ai Universiteti i Pejës në vitin 2024 ka më së shumti të ardhura mujore për stafin akademik menaxherial.
Gjinovci potencoi se ka lëshime dhe defekte në sistemin ku bëhet deklarimi i pasurisë, derisa iu referua stafit akademik.
Sipas tij është vërejtur disa herë se në vend të deklarimit të të ardhurave vjetore, janë deklaruar ato mujore.
Gjinovci: Deklarimi i të ardhurave mujore në vend të atyre vjetore, kjo ndodh vazhdimisht
“Të Prishtinës ka pasur rënie të vazhdueshme dhe Prishtina është pak më ulët se mesatarja për këtë aspekt të të ardhurave mujore dhe shtesave mesatare mujore. Kjo ka qenë ndër vite në raport me funksionet e ndryshme…Ka qenë një rënie shumë e madhe në vitin 2021, por më pas ka pasur një rritje, me ligjin e ri po shkon drejt stabilizimit. Peja në 2024-ën është Universiteti me më së shumti të ardhura mujore për stafin akademik menaxherial… Universiteti i Gjilanit ka pasur një ulje signifikante në të ardhura dhe nëse nuk gaboj është universiteti me të ardhur më të ulëta, pas Prishtinës…Prizreni nuk është se ka pasur ndonjë ulje kush e di se sa të madhe, megjithatë ka pasur… Profesorët janë të detyruar sipas ligjit që ta deklarojnë pasurinë e tyre. Ne i kemi vërejtur disa defekte nis sistemin me të cilin ndodhë ky deklarim…Ka plot lëshime, defekte në sistem që ia mundësojnë njerëzve që të paraqiten si ‘budalla’ kur ta paraqesin pasurinë e tyre ‘kinse s’kam ditur’ e të fshehin ku me ditë sa mjete’…Deklarimi i të ardhurave mujore në vend të atyre vjetore, kjo ndodhë vazhdimisht, aty shkruan sa para i ke marrë në vit nga universiteti, ky e shkruan një shifër 1 mijë e 500, nuk ekziston një rrogë kaq fikse në Kosovë”, potencoi Gjinovci.
Ndërkaq, drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj tha se ka pranuar kritikat dhe rekomandimet për të përmirësuar këtë sistemin e të dhënave.
Ndër të tjera, Buleshkaj potencoi se ka një dyshim nga publiku sa i përket integritetit të institucioneve publike, përshirë edhe universitetet publike.
Siç tha ai ligji e parasheh që universitetet të kenë një plan integriteti ku identifikojnë lëshimet potenciale apo rreziqet, por siç theksoi ai disa nga universitete më të mëdha nuk e kanë bërë këtë.
Buleshkaj: Universitetet të krijojnë plan integriteti për identifikimin e lëshimeve potenciale
“Deklarimi duket proces teknik por është goxha proces që mund të prodhojë mjaftë shumë analiza dhe më shumë përfundime që mund të përdoren nga institucione të ndryshme…Me vullnetin më të mirë e kam pranuar kritikat dhe rekomandimet që i ka dhënë ORCA për ta përmirësuar setin e të dhënave… Do të kemi një ligj në fuqi i cili agjencia është e obliguar ta zbatojë dhe zyrtarët publik duke përfshirë edhe profesorët e mjekët, por edhe policët e të tjerë, janë të obliguar t’i zbatojnë në përpikëri… Kemi një dyshim të publikut në integritetin e institucioneve publike dhe integritetin e universiteteve. Ligji e ka paraparë që universitetet dhe institucionet tjera të krijojnë një plan integriteti ku identifikojnë lëshimet potenciale apo rreziqet dhe masat që duhet t’i marrin ata për t’i adresuar këto rreziqe. I kemi tri universitete më të mëdha që nuk e kanë bërë”, tha Buleshkaj.
Pjesë e diskutimit të organizuar nga ORCA, ishte edhe rektori i Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”, Artan Dërmaku. Ai tha se kanë kërkuar disa herë që të ketë rritje të buxhetit për këtë universitet, porse nuk ka pasur përmirësime.
Dërmaku: Universiteti i Gjilanit e ka buxhetin më të vogël
“Edhe vetë e patë që universiteti i Gjilanit e ka buxhetin më të vogël se të Gjakovës, të Pejës e Prizrenit. Kam kërkuar shumë herë që kjo të rregullohet sepse nuk është rregull, por ende nuk ka pasur përmirësime, përkundër se edhe për 300 mijë euro të tjera është zvogëluar. Në paga, por edhe në mëditje shihet që jemi më të… sidomos po bëhet viti i dytë që jam rektor, kemi shkuar në vazhdimësi në optimalizim të shpenzimeve në të gjitha aspektet”,
Në anën tjetër, pro-rektorja në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”, Adelina Rakaj komentoi raportin se ky universitet vazhdon të jetë në të njëjtën vijë, pa rënie apo ngritje të dukshme të buxhetit.
Rakaj: Universiteti i Prizrenit nuk ka pasur ‘privilegje të larta’
“U prezantua se Universiteti i Prizrenit që vazhdon të jetë pothuajse në të njëjtën gjendje, ndoshta, sepse edhe më herët nuk ka pasur po e quaj “privilegje të larta’ prandaj me ligjin e ri të pagave është barazuar në këtë pjesë. Ne tani kemi në fuqi një rregullore për të ardhura personale, e cila përveç kategorive ligjore, nuk bënë asnjë pagesë të komisioneve apo të angazhimeve shtesë të stafit. Pozitat menaxheriale prorektor, dekan, prodekan përveç koeficientit që e marrin në bazë të ligjit të pagave, mbajnë edhe mësim. Kjo puna shtesë që paguhet deri në 30 për qind mund të bie në këtë kategori dhe e ka rritur ndoshta të ardhurat apo shtesat tjera”, tha Rakaj.
Në kuadër të këtij diskutimi folën edhe nga Universiteti i Prishtinës dhe i Pejës, duke parashtruar pyetje për drejtorin e Agjencisë për Parandalimin e korrupsionit lidhur me deklarimin e pasurisë së stafit akademik.
