“Mbyllja e pishinës publike në Prishtinë” – Reagon Bardh Krasniqi: Inspektorë që zgjohen në fushatë, nuk ka vend për panik

Kryeshefi Ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike Lokale “Sport Marketing” SH.A., Bardh Krasniqi, ka reaguar pas vendimit për mbylljen e përkohshme të pishinës së vetme publike në kryeqytet nga inspektorët sanitarë, të cilët, sipas tij, po veprojnë të shtyrë nga protagonizmi politik në kohë fushate.

“Disa pseudo inspektorë, të etur për protagonizëm politik, zgjohen nga gjumi dhe bëjnë filma. Mbyllin pishinën publike të vetme të kryeqytetit, ndërsa jashtë kontrollit të tyre mbesin mbi 40 pishina private”, thekson Krasniqi.

Ai sqaron se ndërmarrja ka nënshkruar me vetiniciativë një marrëveshje me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) për monitorimin javor të cilësisë së ujit, duke theksuar se mirëqenia e qytetarëve është prioritet.

“Unë lahem aty, edhe fëmijët e mi. Nuk ka pasur asnjë ankesë te ekipi mjekësor për ndonjë rast që ka të bëjë me ujin apo higjienën”, shton ai.

Sipas Krasniqit, rezultatet e analizave të para kanë treguar vetëm devijime të lehta, për të cilat nuk rekomandohet mbyllja, por vetëm trajtimi i ujit – një proces i zakonshëm në pishina publike.

“Analizat e mostrave të dyta pritet t’i marrim nesër dhe kemi informacione se janë krejtësisht në rregull”, thekson ai.

Krasniqi shpreh habi se për tre vite nuk ka pasur vizita nga inspektorët sanitarë, ndërsa tani – në kohë fushate – ata ndërhyjnë, duke shkaktuar jo vetëm dëmtim të imazhit publik të ndërmarrjes, por edhe dëme të drejtpërdrejta financiare, nga të cilat varen rreth 43 punonjës.

“NUK KA VEND PËR PANIK!”, përfundon reagimin e tij Kryeshefi Ekzekutiv i “Sport Marketing”, Bardh Krasniqi. /Kosova.info/


Go to TOP