Emergjenca e zjarreve në vend: Mbi 320 raste në një javë, humbin jetën një zjarrfikës dhe një qytetar

Tahir Ahmeti, njohës i çështjeve të emergjencave civile, ka ngritur alarmin për situatën kritike të zjarreve që po përfshin vendin. Vetëm gjatë kësaj jave janë regjistruar mbi 320 raste të zjarreve në zona të ndryshme, ndërkohë që shtatë prej tyre mbeten ende aktive.

Fatkeqësisht, një zjarrfikës dhe një qytetar kanë humbur jetën si pasojë e përhapjes së flakëve, ndërsa dy zjarrfikës të tjerë janë lënduar gjatë përpjekjeve për t’i vënë nën kontroll zjarret.

“Temperaturat ekstreme dhe përhapja e zjarreve kanë krijuar një situatë shumë të rrezikshme,” tha Ahmeti. Ai theksoi se kjo është një emergjencë që kërkon mobilizim të menjëhershëm dhe përgjegjësi të përbashkët.

Ahmeti u bëri thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal, duke kujtuar se ndezja e zjarreve të hapura është e ndaluar në çdo formë në të gjithë territorin e vendit. “Vetëdijesimi qytetar është thelbësor për parandalimin e dëmeve në njerëz, natyrë dhe pronë,” u shpreh ai.

Në fund, Ahmeti shprehu respekt dhe mirënjohje për të gjithë zjarrfikësit dhe ekipet emergjente që po punojnë pa ndalur në terren, duke i cilësuar ata si heronj të këtyre ditëve. /Kosova.info/


Go to TOP