AKKVP kundërshton deklaratat e Petar Petkoviq: Përpjekje për dezinformim dhe politizim të rrezikshëm

Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP) ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të zyrtarit serb Petar Petkoviq, të cilat lidhen me një rast pronësor në veri të Kosovës. AKKVP i ka cilësuar këto deklarata si të pavërteta dhe të rrezikshme për nxitje të tensioneve dhe politizim të çështjeve ligjore.

Në reagimin zyrtar të AKKVP-së thuhet se rasti në fjalë, që përfshin pronën e familjes Ferki Shipolli, është trajtuar që në vitin 2005 dhe se është vërtetuar me vendim përfundimtar se familja Shipolli është poseduesi ligjor i pronës.

“Agjencia jonë zbaton vendime përfundimtare të institucioneve të drejtësisë, në përputhje me mandatin dhe kornizën ligjore në fuqi. Rikthimi i pronës bëhet përmes procedurave të rregullta ligjore dhe zbatohet ndaj çdo uzurpimi të paligjshëm, pavarësisht përkatësisë etnike apo statusit të palës”, thekson AKKVP.

Agjencia e quan të papranueshme retorikën e z. Petkoviq duke theksuar se ajo minon sundimin e ligjit, bashkëjetesën ndëretnike dhe përpjekjet për stabilitet në rajon.

“Deklaratat si kjo e Petar Petkoviqit janë përpjekje të rrezikshme për dezinformim dhe politizim të rasteve ligjore duke cenuar kështu jo vetëm institucionet ligjore të Kosovës, por edhe bashkëjetesën ndërkomunitare”, përfundon reagimi.

AKKVP rikonfirmon përkushtimin e saj për zbatim të drejtë, të barabartë dhe ligjor të mandatit, në shërbim të qytetarëve dhe në respekt të të drejtave pronësore të të gjithë individëve pa dallim. /Kosova.info/


Go to TOP