Sukses për UP-në: Departamenti i Mjekësisë Veterinare fiton grantin “STRUKTEVET” nga Erasmus+
Departamenti i Mjekësisë Veterinare në kuadër të Fakultetit të Bujqësisë dhe i Veterinarisë të Universitetit të Prishtinës ka shënuar një sukses të rëndësishëm me përfshirjen në projektin “STRUKTEVET – Reforma Strukturore në Arsimin e Lartë Veterinar”, që është një nga pesë grantet e fituara nga Universiteti i Prishtinës në kuadër të programit Erasmus+ të Bashkimit Evropian.
Ky projekt ka për qëllim reformimin e kurrikulës në fushën e veterinarisë, avancimin e metodave mësimore, si dhe përfshirjen aktive të palëve të interesuara për përvetësimin dhe zbatimin e standardeve të Bashkimit Evropian në arsimin e lartë veterinar në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Koordinator i projektit është Prof. Fatgzim Latifi, i cili së bashku me ekipin e tij do të udhëheqë procesin e implementimit të projektit, duke kontribuar në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe përgatitjen profesionale të gjeneratave të ardhshme të mjekëve veterinarë.
Ky është një hap i rëndësishëm për Departamentin e Mjekësisë Veterinare dhe për Universitetin e Prishtinës në përgjithësi, duke e rritur ndikimin akademik dhe ndërkombëtar të institucionit në fushën e shkencave veterinare. /Kosova.info/
