Kërkesa e MPJD-së për shpenzimet, Osmani: Presidenca ka qenë gjithnjë institucioni më transparent
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani deklaroi se “presidenca ka qenë gjithnjë institucioni më transparent në vend”. Kështu komentoi ajo kërkesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila kërkoi nga ambasadat e Kosovës të dhëna lidhur me shpenzimet që janë bërë për vizitat e presidentes.
E para e shtetit në konferencën ku njoftoi se kanë paraqitur në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për qartësimin e afatit 30 ditor për konstituim të kuvendit, tha se ka transparencë të plotë mbi çdo aktivitet brenda mandatit të saj si presidente.
Osmani: Presidenca ka qenë gjithnjë institucioni më transparent
“Kjo është çështje teknike, ju kisha lutur t’i adresoni stafit lidhur me të, sepse nuk po i di detajet e çështjeve që i ngritët. Jemi duke u marrë me çështje të rëndësisë shtetërore dhe ju kisha lutur të fokusoheni tek ajo. Si parim i përgjithshëm edhe pse nuk po i di detajet e kësaj që ju i përmendët, si parim i përgjithshëm presidenca ka qenë gjithnjë institucioni më transparent në vend. Kurrë asnjë gjë, është e vërtetë sa i përket publikimit të çdo shpenzimi, gjithçka jemi transparent dhe do ta mbrojmë me krenari çdo punë, çdo angazhim në interes të Republikës së Kosovës. Sepse vetëm e vetëm në interes të Republikës së Kosovës ka qenë. Pyetja juaj ka të bëjë me çështje teknike, të cilat besoj që në qoftë se i adresoheni stafit mund të ju japin të gjitha përgjigjet. Çfarë do që ju duhet, transparencë e plotë mbi çdo aktivitet tonin politik brenda mandatit tonë si presidente e Republikës”, deklaroi Osmani.
Ndërkohë, sot është raportuar se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka kërkuar nga Ambasadat e Kosovës të dhëna mbi shpenzimet që janë bërë për vizitat e të parës së shtetit të Kosovës, Vjosa Osmani në shtetet ku ajo ka pasur vizita.
Sipas raportimeve, kërkesa e MPJD-së është për shpenzimet, akomodimin, sigurimin, ushqimin, veturat, e bile edhe për karburantet.
