Metaj: Vetëm gjatë javës së fundit mbi 320 raste të zjarreve
Drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, Genc Metaj, ka thënë se vendi po përballet me një situatë të vështirë me zjarret në gjithë vendin. Ai ka treguar se vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar mbi 320 raste të zjarreve në Kosovë.
“Vetëm gjatë javës së të fundit janë raportuar mbi 320 raste të zjarreve, duke përfshirë zjarre malore, fushore si dhe në objekte, në të cilat kemi intervenuar me sukses. Pas intervenimeve dhe koordinimit të suksesshëm, gjendja aktuale është stabile. Momentalisht i kemi 7 zjarre aktive dhe po punohet që edhe këto të shuhen plotësisht”, ka thënë Metaj, pasi e njoftoi drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha për situatën me zjarret në vend.
Ai ka thënë se ky numër i madh dhe pasojat e mundshme që mund të sjellin këto zjarre janë alarmante.
“Si rezultat i kësaj situate, fatkeqësisht, kemi humbur një zjarrfikës nga Njësia e Gjakovës dhe një qytetar nga komuna e Klinës. Për momentin i kemi të lënduar dy zjarrfikës një në Njësinë e Lipjanit dhe një në njësinë e Vitisë”, ka treguar ai.
Metaj ka thënë se çdo neglizhencë, qëllim apo pakujdesi në ndezjen e zjarreve, do të trajtohet me seriozitet dhe do të pasohet me veprime ligjore sipas legjislacionit në fuqi.
Sipas tij, kushtet aktuale në teren, mund të ndikojnë në përhapje të reja, por tha se po i ndërmarrin të gjitha veprimet dhe koordinimet e nevojshme që të përballojmë çdo sfidë të re. “Por, nëse numri rritet në masë të madhe atëherë paraqiten vështirësi për reagim nga Njësitë e Zjarrfikjes”, tregoi ai.
Ka apeluar tek të gjithë qytetarët për kujdes maksimal dhe për bashkëpunim të ngushtë me autoritetet, me qëllim të përballjes me sukses të situatës.
Ndërkohë, siç bëhet e ditur nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent, Drejtori i Policisë ka treguar se janë iniciuar 63 raste penale dhe 9 persona janë arrestuar për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të Përgjithshëm”.
“Bazuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës neni 356 “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe nenit 322 ” Zjarrëvënie” policia ka iniciuar gjithsejtë 63 raste penale dhe ka arrestuar 9 persona”, citohet të ketë thënë kreu i Policisë së Kosovës.
