Haziri: Qeveria aktuale pa legjitimitet – po shkelni ndarjen e pushteteve dhe Kushtetutën
Nënkryetari dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të qeverisë aktuale duke thënë se ajo nuk është e legjitimuar dhe funksionon si qeveri në detyrë. Haziri përkujton praktikat e mëhershme të tranzicionit institucional duke marrë shembullin e qeverisë së Isa Mustafës pas rrëzimit me mocion mosbesimi.
“S’ta merr askush të drejtën me qenë kryeministër në detyrë. Mustafa dhe ministrat vazhduan të qëndronin në detyrë deri në betimin e deputetëve të rinj, por e liruan Qeverinë për të kaluar në Kuvend,” shkruan Haziri.
Ai kritikoi qeverinë Kurti se nuk ka bërë ndarje të qartë të pushteteve duke ironizuar: “Ju edhe deputetë, edhe ministra. Sipas kësaj logjike, mundeni me qenë edhe prokuror, edhe gjykatës!”
Në fund, Haziri tha se ata që e duan Republikën, e ruajnë dhe e respektojnë. “Sovraniteti nuk është veç në një copë toke, por në sallën e Kuvendit dhe në zemrën e Kushtetutës,” theksoi ai. /Kosova.info/
