Kastrati për bllokadën në Kuvend: Zgjidhja nuk është as rotacioni e as kandidati, por zgjedhje të reja me njerëz të filtruar
Gazetari i karrierës, Zejdush Kastrati, ka reaguar pas dështimit për të 49-tën herë të mbajtjes së seancës për konstituivin e Kuvendit të ri të Kosovës, duke kritikuar situatën e krijuar në institucionin më të lartë legjislativ të vendit dhe bllokadën e vazhdueshme politike.
“Nuk dua të komentoj se kush është fajtori kryesor për ngërçin që ka kapluar institucionin e Kuvendit – këtë punë po e bëjnë të gjithëdijshmit,” shkruan Kastrati, por thekson se krahasuar me të gjithë kryeparlamentarët e deritanishëm, kandidatja e propozuar nga VV-ja, Albulena Haxhiu, “nuk mbetet mbrapa asnjërit në aspektin moral e kombëtar, madje në disa nuanca është edhe më e avancuar.”
Sipas tij, roli i kryeparlamentarit është më tepër teknik dhe nuk ka ndonjë impakt të drejtpërdrejtë në vendimmarrje, ndaj edhe refuzimi për ta votuar atë ose bojkotimi i votimit nuk ka logjikë as politike e as funksionale. Ai sjell në vëmendje modelet ndërkombëtare si në Slloveni apo Zvicër, ku pozita e kryeparlamentarit është më e kufizuar dhe në disa raste aplikohet edhe rotacioni njëvjeçar – modele që, sipas tij, do të duhej të aplikoheshin edhe në Kosovë.
Duke komentuar idenë për ndërrimin e kandidatit dhe përmendjen e emrit të Fatmir Limajt, Kastrati vlerëson se “nuk çon peshë në favor të opozitës”. Sipas tij, rrugëzgjidhja reale nuk qëndron në emra, por te një qeveri e re që mund të sfidohet politikisht pas konstituivit të Kuvendit. Por edhe kjo, shton ai, nuk do të sjellë stabilitet apo normalitet, por vetëm diskurs të përplasjes së vazhdueshme.
Në përfundim, Kastrati jep vlerësimin më të drejtpërdrejtë: “Zgjidhja më e mirë do të ishte zgjedhje të reja me aktorë të rinj, të filtruar nga elektorati, sepse na mbytën hipokritët, mashtruesit dhe abuzuesit e parasë dhe pushtetit – që s’dinë gjë tjetër përveç interesave personale.” /Kosova.info/
