Avokati Koci aplikon në Guinness për 48 dështimet e konstituivit të Kuvendit

Avokati Arianit Koci e ka dërguar në Librin e Rekordeve Guinness çështjen e dështimit të përsëritur për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Ai e bëri këtë të ditur përmes një postimi në Facebook, ku e quajti rastin “më absurd që ka ndodhur ndonjëherë”.

“Aplikova në Librin e Rekordeve Guinness. Si qytetar i Kosovës – e paraqita rastin absurd që po ndodh në vendin tim: 48 herë rresht ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Po, dyzet e tetë tentime – dhe ende pa Kuvend funksional. Turp, turp, turp!”, shkroi ai.

Koci theksoi se një gjë e tillë nuk ka ndodhur askund tjetër në botë, as në vende me krizë të thellë institucionale, apo në shtete me përçarje etnike, sektare apo politike.

Ai e përshkroi këtë veprim si vazhdim të protestës së tij qytetare, e cila ka nisur para Kuvendit.

“Bllokimi i institucioneve tani është çështje e rendit demokratik, e të drejtave të qytetarëve dhe e funksionimit të shtetit. Nëse Guinness e pranon, të paktën ta dimë që jemi “të parët në botë” për diçka – për një rekord turpi”, shkroi tutje ai.

Ai gjithashtu paralajmëroi se të hënën do të zhvillohet sërish protestë. /Kosova.info/


Go to TOP