Izraeli sulmon Damaskun, Rubio: Luftimet do të ndalen së shpejti
Izraeli ka kryer sulme të fuqishme ajrore në Damask, duke shkatërruar pjesë të ministrisë së mbrojtjes dhe duke goditur afër pallatit presidencial. Ai ka premtuar të shkatërrojë forcat qeveritare që sulmojnë komunitetin druz në jug të Sirisë dhe ka kërkuar që ato të tërhiqen.
Këto sulme përfaqësojnë një eskalim të rëndësishëm të konfliktit nga ana e Izraelit ndaj administratës islamiste të presidentit në detyrë, Ahmed al-Sharaa, pavarësisht afrimit të tij me Shtetet e Bashkuara dhe kontakteve të sigurisë me Izraelin, shkruan Reuters.
Izraeli i ka përshkruar sundimtarët e rinj të Sirisë si xhihadistë të kamufluar dhe ka deklaruar se nuk do të lejojë vendosjen e forcave të tyre në jug të Sirisë, duke premtuar mbrojtjen e komunitetit druz në atë zonë, me mbështetjen e pakicës druze në Izrael.
Banorët e rajonit të Sweidas thanë se kanë qëndruar të mbyllur në shtëpi, ndërsa një anëtar i komunitetit druz në Izrael shprehu ndjenjën e pafuqisë përballë dhunës në Siri.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se luftimet do të ndalen së shpejti, duke shtuar se janë rënë dakord për hapa të veçantë që do të sjellin përfundimin e kësaj situate sonte.
“Ne kemi rënë dakord për hapa të veçantë që do të sjellin fundin e kësaj situate shqetësuese dhe të tmerrshme sonte,” tha Rubio në rrjetet sociale.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet të enjten për të diskutuar për këtë konflikt, pas kërkesës së Sirisë për një mbledhje urgjente për “adresimin e pasojave të agresionit izraelit në territorin sirian”.
Ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, bëri thirrje që Këshilli të dënojë “krimet barbare kundër civilëve të pafajshëm në tokën siriane”.
