AKB pas vendimit të Gjykatës: Qeveria po e dëmton klimën e biznesit me eksperimente fiskale të paligjshme

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës për shpalljen si të paligjshëm të udhëzimit administrativ të Ministrisë së Financave lidhur me fiskalizimin përmes pajisjeve fiskale elektronike.

Sipas AKB-së, ky vendim i gjykatës konfirmon shqetësimet e vazhdueshme të komunitetit të biznesit, duke theksuar se politikat fiskale nuk mund të ndërmerren me imponim dhe pa konsultim real me sektorin privat.

“Bizneset nuk mund të qeverisen me vendime të njëanshme dhe jo transparente. Çdo politikë që prek mijëra ndërmarrje duhet të hartohet përmes konsultimeve gjithëpërfshirëse,” thuhet në reagimin e AKB-së.

Organizata thekson se fiskalizimi modern është i nevojshëm, por vetëm nëse zbatohet në përputhje me ligjin, duke respektuar kapacitetet reale të bizneseve, sidomos të atyre të vogla dhe të mesme, dhe pa krijuar barrë të panevojshme financiare.

Në këtë drejtim, AKB i bën thirrje Ministrisë së Financave që: të rifillojë procesin e fiskalizimit me një qasje të hapur dhe profesionale, në partneritet me sektorin privat; të realizojë një studim të ndikimit të këtij procesi, veçanërisht në sektorët më të ndjeshëm dhe të ndalojë vendimmarrjet e njëanshme që bien ndesh me ligjin dhe dëmtojnë klimën e investimeve në vend.

“Ministritë duhet të shërbejnë qytetarët dhe bizneset, jo t’i ngarkojnë ato me rregullore që bien në kundërshtim me ligjin,” tha Agim Shahini, kryetar i AKB-së.

Ai shtoi se Aleanca Kosovare e Bizneseve mbetet e gatshme të kontribuojë me ekspertizë dhe dialog për një fiskalizim të drejtë, efikas dhe ligjor në interes të ekonomisë së Kosovës. /Kosova.info/


Go to TOP