Abdixhiku: Kosova të ecë me Shqipërinë e Malin e Zi, jo të mbetet me Serbinë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në Selinë Qendrore të partisë të Dërguarën e Posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, znj. Karen Pierce.
Abdixhiku e cilësoi këtë takim si një kënaqësi të veçantë duke vlerësuar lart rolin e diplomates britanike si njohëse e rrugëtimit shtetformues të Kosovës dhe si përfaqësuese me peshë në zhvillimet historike të rajonit.
Në fokus të diskutimeve ishin zhvillimet politike aktuale në vend, me theks të veçantë mbi krizën institucionale që, sipas Abdixhikut, po e pengon funksionalizimin e institucioneve dhe po dëmton jetën e qytetarëve.
“Zvarritja e këtij procesi po ndikon drejtpërdrejt në përditshmërinë e qytetarëve tanë. Kosova ka nevojë urgjente për institucione legjitime dhe funksionale”, u shpreh ai.
Kreu i LDK-së theksoi gjithashtu rëndësinë e integrimit të shpejtë të Kosovës në familjen euroatlantike duke kërkuar një orientim të qartë përpara. “Kosova duhet të rreshtohet me Shqipërinë dhe Malin e Zi në këtë proces, e jo të mbetet në një vendnumërim politik me Serbinë,” tha Abdixhiku.
Ai vuri theksin te nevoja për një qeveri të përgjegjshme që di të shfrytëzojë momentin gjeopolitik dhe mbështetjen ndërkombëtare për të çuar përpara agjendën e shtetndërtimit.
Në fund, Abdixhiku i shprehu mirënjohje znj. Pierce për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar në forcimin e institucioneve demokratike të Kosovës dhe në rrugën e saj ndërkombëtare. /Kosova.info/
