Kastrati kritikon Ramën: Jo kështu nuk udhëhiqet kryeqyteti, më dinjitoz ishte edhe Isa Mustafa

Gazetari Zejdush Kastrati ka reaguar ashpër ndaj disa deklaratave të bëra nga liderët politikë në Kosovë, veçanërisht atyre gjatë dhe pas fushatave zgjedhore duke i cilësuar si të paarsyeshme dhe të papërgjegjshme. Në fokus të reagimit të tij ka qenë edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, për të cilin Kastrati thotë se po dështonte në mënyrë të përsëritur në udhëheqjen e kryeqytetit.

Ai e ka quajtur befasuese dhe të papranueshme një deklaratë të Ramës gjatë fushatës, ku mbështetësit e ish-partisë udhëheqëse në komunë – Lëvizjes Vetëvendosje – i kishte quajtur “beretat e kuqe”, ndërsa së fundmi i ka etiketuar si “sekt” duke shtuar: “U çliruam prej okupatorit serb, tash po na okupojnë partiashat, çifti i Kurtit me ekipin e vet…!”

Kastrati i bën thirrje Ramës që të reflektojë për pozicionin që mban si kryetar i kryeqytetit duke e quajtur këtë sjellje të papranueshme për një udhëheqës të një institucioni me kaq peshë.

“Jo Përparim, kështu nuk udhëhiqet kryeqyteti, dhe edhe kjo deklaratë është dështim i yti i radhës,” shkruan ai.

Gazetari kujton se edhe pas tetë vitesh qeverisje të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila kishte në krye një figurë të përfolur si kuadër i “Oksfordit”, qyteti përjetoi rrënim dhe neglizhencë, ndërsa sipas tij, Rama, i ardhur nga Londra, po e ndjek të njëjtin avaz në këto katër vitet e fundit.

Në fund, ai nuk nguron të thumbojë duke thënë se, ndonëse vjen nga një e kaluar komuniste, Isa Mustafa po del të ketë qenë më i mirë dhe më dinjitoz në udhëheqjen e Prishtinës.

“Shumë më i mirë e më i dinjitetshëm si kryetar i Prishtinës po na del ‘komunisti’ Isa Mustafa…!”, përfundon Kastrati. /Kosova.info/


Go to TOP