Demi: Mbi 1 milion euro për paga deputetëve që nuk po punojnë – vetëm 4 orë punë që nga prilli!

Agron Demi nga Instituti GAP ka ngritur alarmin për koston që po u shkaktohet taksapaguesve nga mosfunksionimi i Kuvendit të Kosovës. Sipas tij, pavarësisht se Kuvendi nuk është konstituuar ende, deputetët po vazhdojnë të marrin paga të larta për punë minimale duke e cilësuar këtë si një abuzim të rëndë me paranë publike.

“Paga bazë e një deputeti ose deputeteje është 1,859 euro, por kjo rritet në bazë të përvojës së tyre. Në muajin maj ka deputetë që kanë marrë mbi 2,600 euro, përfshirë edhe të hyrat retroaktive,” shkroi Demi në një reagim publik.

Ai nënvizon se vetëm në muajin maj, janë shpenzuar 235 mijë euro për pagat e 103 deputetëve, ndërsa 17 të tjerë – që aktualisht janë pjesë e Qeverisë – kanë zgjedhur të përfitojnë nga benefitet më të larta të ekzekutivit.

“Tash që po shkon edhe korriku pa u konstituu Kuvendi, ne si taksapagues kemi shpenzuar mbi 1 milion euro për pagat e këtyre 120 badihavgjive,” thekson Demi.

Sipas tij, që nga prilli janë mbajtur 46 seanca të dështuara, me një kohëzgjatje mesatare prej vetëm 5 minutash. Kjo nënkupton se deputetët kanë punuar maksimumi 4 orë në total – ndërsa kanë marrë deri më tani rreth 7 mijë euro për këtë “punë”.

“Emrat nuk po i qes këtu, ngase të gjithë e dini se kush është deputet/e dhe kë keni votuar. Tash, ti që merr pagë minimale, e për të njëjtën kohë je me fat nëse ke punuar 12 orë në ditë e i ke marrë 1,000 euro, herën tjetër dil e votoji prapë të njëjtit,” përfundon Demi duke ngritur një kritikë të fortë për pasivitetin e deputetëve dhe zgjedhësit që vazhdojnë t’u japin votën. /Kosova.info/


Go to TOP