Miftaraj: Mjafton pak vullnet politik që Kosova të dëshmojë se është demokraci funksionale

Juristi dhe drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka reaguar në lidhje me situatën e zvarritjes së konstituivit të Kuvendit pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 duke shprehur se gjithçka do të mund të zgjidhej me pak vullnet politik dhe respektim të rendit kushtetues.

Në një deklaratë të publikuar sot, Miftaraj thekson se, nëse politikanët do të kishin respekt për Kushtetutën, ligjin, procedurat dhe funksionimin institucional, atëherë në këtë ditë të bukur korriku – në tentimin e 46 për konstituivin e Kuvendit – gjithçka do të kishte marrë rrjedhën normale.

Sipas tij, Avni Dehari do t’i rikthehej zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Kuvendi do të shkonte drejt votimit të hapur për kryetarin. Miftaraj përmend një skenar pozitiv ku Lëvizja Vetëvendosje do të propozonte një kandidat që do të merrte jo vetëm 61, por mbase edhe 70 vota, ndërsa pozitat e nënkryetarëve do t’u takonin partive të tjera parlamentare, përmes një procesi të hapur dhe të ligjshëm votimi.

Ai shprehet se pas këtij hapi, Kuvendi do të konstituohej, dhe Presidentja e vendit, pa vonesa, do ta ftonte liderin fitues të zgjedhjeve, Albin Kurti, për formimin e qeverisë brenda afatit kushtetues prej 15 ditësh.

“Në këtë mënyrë, edhe mysafiri i respektuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit që po viziton Kosovën dhe rajonin, do të befasohej për së mbari dhe do të bindet se Kosova është demokraci funksionale dhe partner i denjë për diskutime rreth sigurisë rajonale dhe zhvillimit ekonomik,” shprehet Miftaraj.

Ai përfundon mesazhin e tij me një thirrje për maturi politike: “Qytetarit do t’i kthehej sadopak besimi në institucionet e Kosovës dhe do të kishte një adresë për të kërkuar llogari, transparencë dhe integritet në qeverisje. Nuk duhet shumë për t’u bërë kjo. Vetëm pak vullnet politik dhe lënia anash e inateve personale dhe interesave partiake.” /Kosova.info/


Go to TOP