Olluri i bashkohet PDK-së – Buja: Rrugëtimin për Lipjanin e nisëm me dije dhe përkushtim
Shukri Buja, kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Lipjanit, ka bërë të ditur aderimin e Bekim D. Ollurit në Partinë Demokratike të Kosovës duke e cilësuar këtë si një përforcim të rëndësishëm të ekipit me njerëz të dijes dhe përvojës.
Bekim D. Olluri, nga fshati Krojmir, është një emër i njohur në fushën e gazetarisë, administratës publike dhe angazhimit rinor. Ai ka përfunduar studimet në Gazetari pranë Fakultetit të Filologjisë dhe është magjistër i Shkencave Politike, në programin Studime Evropiane dhe Administratë Publike.
Olluri ka punuar në media të njohura në Kosovë dhe Shqipëri, si Kosovainfo dhe Blic.al, si dhe në institucione publike në Lipjan, përfshirë Qendrën për Punë Sociale dhe Administratën Komunale. Ndër vite ka qenë aktiv edhe politikisht, ku në periudhën 2015–2017 ka udhëhequr Forumin Rinor të AKR-së.
Shukri Buja ka deklaruar se aderimi i Ollurit është dëshmi se PDK po bëhet gjithnjë e më shumë një adresë për profesionistët dhe të rinjtë e arsimuar që besojnë në ndryshim dhe zhvillim.
“Mirë se vjen Bekim! Rrugëtimin e ri po e fillojmë bashkë me guxim, dije dhe përkushtim për një Lipjan që e meriton më shumë,” ka theksuar Buja. /Kosova.info/
