Fundjavë me mot të nxehtë dhe diell – Kujdes me rrezet UV!
Kjo fundjavë do të karakterizohet nga moti kryesisht i kthjellët dhe me temperatura të larta, të cilat pritet të arrijnë deri në 33°C.
Të shtunën parashikohet mot me diell dhe vranësira të pakta. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 8 dhe 10°C, ndërsa ato maksimale pritet të jenë nga 27 deri në 30°C. Do të fryjë erë e lehtë nga drejtimi veriperëndimor, me shpejtësi prej 1 deri në 5 m/s.
Të dielën moti do të vazhdojë të jetë me diell dhe pjesërisht i vranët. Temperaturat do të rriten edhe më shumë, me minimale ndërmjet 9 dhe 13°C dhe maksimale që do të kapin vlerat nga 29 deri në 33°C. Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi prej 1 deri në 3 m/s.
Indeksi UV do të jetë i lartë gjatë të dielës, prandaj rekomandohet të shmanget ekspozimi direkt në diell nga ora 10:00 deri në 17:00. Kujdes i veçantë kërkohet për fëmijët dhe personat me sëmundje kronike.
Një fundjavë ideale për aktivitete në natyrë, por me kujdes ndaj rrezeve të forta të diellit! /Kosova.info/
