Çeku: Me ndihmën e miqve në Angli hoqëm BQK-në nga lista e sanksioneve të Bankës Botërore – jo Dejona Mihali!
Gazetari hulumtues Fitim Çeku ka deklaruar sot se, pas një pune të gjatë dhe ndërhyrjes së disa kontakteve të tij në Mbretërinë e Bashkuar, është arritur të hiqet Banka Qendrore e Kosovës (BQK) nga lista e sanksioneve të Bankës Botërore, ku figuronte si institucion i një vendi me rrezikshmëri të lartë konflikti.
Çeku thekson se kjo është një arritje e rëndësishme për imazhin ndërkombëtar të Kosovës, pavarësisht se, sipas tij, BQK-ja ka qenë institucion që në të kaluarën e ka goditur personalisht.
“Edhe pse Banka Qendrore e Kosovës na ka goditur, ne ia kemi bërë këtë të mirë Kosovës”, shkroi ai.
Në postimin e tij, gazetari mohoi pretendimet se kjo arritje i atribuohet Dejona Mihalit duke shtuar se komunikimet e saj me zyrtarë të BQK-së datojnë që nga viti 2018, por nuk kanë sjellë rezultat konkret.
“Këtë meritë po mundohet ta marrë Dejona Mihali… por jo, ne e kemi bërë këtë me miq anglezë”, ka përfunduar Çeku.
Ky zhvillim ngre pikëpyetje për procesin e komunikimit me institucionet ndërkombëtare financiare dhe për mënyrën se si përfaqësohen interesat e Kosovës në arenën globale. /Kosova.info/
