Bajrami kërkon kompensim urgjent për bujqit: Dëmet nga zjarret rrezikojnë sigurinë ushqimore
Deputetja Hykmete Bajrami ka kërkuar reagim urgjent nga Qeveria dhe ministrat në detyrë për të kompensuar dëmet që kanë pësuar bujqit nga djegia e qindra hektarëve me grurë gjatë ditëve të fundit.
Përmes një reagimi publik, Bajrami thekson se shkatërrimi i të mbjellave përfaqëson humbjen e djersës dhe investimit vjetor të shumë familjeve që jetojnë nga bujqësia, dhe paralajmëron pasoja afatgjata për tregun dhe çmimet.
“Është e rëndë kur brenda disa orëve digjet djersa dhe investimi njëvjeçar i bujqve. Nëse ka një moment për të përdorur mjetet nga ‘Fondi për Ringjallje Ekonomike’, ky është tani!”, ka deklaruar Bajrami.
Ajo ka shtuar se mungesa e reagimit institucional do të çojë në pasoja më të rënda ekonomike, ku dëmi nuk do të jetë vetëm për fermerët, por edhe për qytetarët që do të përballen me rritje të çmimit të bukës për shkak të importit të grurit dhe miellit.
“Nëse bujqit nuk kompensohen tash, qytetarët me mjete të tyre do ta paguajnë shumëfish dëmin me çmimin e rritur të bukës nga importi i grurit dhe miellit – dhe atë jo vetëm këtë vit,” ka theksuar ajo.
Bajrami i ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë ekzekutivit që të veprojë menjëherë:
“Ata që thonë se janë ministra në detyrë duhet të marrin vendim pa vonesë! Bujqit meritojnë mbështetje të menjëhershme.”
Kërkesa e saj vjen në një moment kur Kosova po përballet me valë të nxehti dhe zjarre të shpeshta, të cilat kanë shkaktuar dëme të mëdha në bujqësi në disa rajone të vendit. /Kosova.info/
