AGK dënon gjuhën kërcënuese të deputetit Nezir Kraki ndaj gazetarit Xhezair Dashi: Kërkohet falje publike

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar me shqetësim pas kërcënimeve verbale që deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraki, ka adresuar ndaj gazetarit të Nacionales, Xhezair Dashi.

Gazetari Dashi i kishte drejtuar pyetje Krakit lidhur me doktoratën e tij në Francë, por në vend të një përgjigjeje, deputeti i ardhshëm ka reaguar me tone kërcënuese dhe paralajmëruese përmes një mesazhi zanor. Në mesazh, Kraki thuhet t’i ketë thënë gazetarit:

“Nuk e keni idenë qysh funksionon Franca, as s’keni lidhje me këtë punë dhe çoheni tash. Hajt mor burrë, që thojmë ne në Junik: ‘Rri para kijeve, rri para kijeve o burrë’. Edhe shpifjes munesh me ia pa sherrin një ditë, apo kupton? Shpifjes gratis. Se njerëzit nuk harrojnë, dhe as nuk ta falin. Hajt!”.

AGK-ja e dënon ashpër këtë gjuhë duke e cilësuar si të papranueshme, sidomos kur vjen nga një përfaqësues i zgjedhur i popullit.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkon nga zoti Kraki të kërkojë falje publike ndaj gazetarit Xhezair Dashi dhe redaksisë së Nacionales. Po ashtu, ai duhet të ofrojë në mënyrë transparente të dhënat e kërkuara, në vend të përdorimit të presionit apo frikësimit,” thuhet në reagimin e AGK-së.

AGK-ja rikujton se gazetarët kanë të drejtë të ushtrojnë punën e tyre pa frikë, presion apo kërcënime, dhe se mbrojtja e lirisë së shprehjes dhe transparencës publike është thelbësore për një shoqëri demokratike. /Kosova.info/


Go to TOP