Reçica demaskon ministrin Peci: Mos i fryej shifrat, nuk e siguruam bukën e mot motit!
Gazetari Enis Reçica ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të fundit të ministrit të Bujqësisë, Faton Peci duke e akuzuar për manipulim të të dhënave lidhur me sipërfaqet e mbjella me grurë në Kosovë.
“Ministër Peci, mos i fryjë shifrat, nuk e siguruam bukën e mot motit!”, shkroi Reçica duke e kundërshtuar pretendimin e ministrit se në vitin 2025 janë mbjellë 75 mijë hektarë me grurë, ose rreth 21,500 hektarë më shumë se vitin e kaluar.
Sipas të dhënave të mëhershme nga vetë Ministria e Bujqësisë, në vitin 2024 ishin raportuar vetëm 65 mijë hektarë të mbjellë me grurë. Reçica shton se, krahasuar me vitet paraprake, Kosova sivjet ka mbjellë më pak grurë se në periudhën 2018–2022, kur sipërfaqet varionin nga 79 mijë deri në mbi 81 mijë hektarë.
Përveç shifrave për mbjellje, gazetari vë theksin edhe te varësia nga importi. Sipas të dhënave zyrtare të ministrisë, në vitin 2023 Kosova importoi mbi 130 milionë kilogramë grurë, me vlerë mbi 36 milionë euro – nga të cilat rreth 110 milionë kilogramë vinin nga Serbia. Vetëm deri në korrik të vitit 2024, janë importuar 49 milionë kilogramë të tjera.
“Nuk e siguruam bukën e mot motit,” përfundon Reçica duke ngritur shqetësime serioze për politikat bujqësore dhe për mungesën e vetëqëndrueshmërisë ushqimore në vend. /Kosova.info/
