Bytyçi: Rënia drastike e maturantëve dhe mospërzgjedhja e UP-së, alarm për shtetin dhe universitetin publik
Profesor universitar Eliot Bytyçi ka ngritur alarmin për rënien e vazhdueshme të numrit të maturantëve në Kosovë dhe, rrjedhimisht, edhe interesimit në rënie për programet e Universitetit të Prishtinës. Përmes një reagimi publik, ai ka paraqitur statistika shqetësuese dhe ka bërë thirrje për reflektim urgjent institucional.
“Në vitin 2014 kishim rreth 40 mijë maturantë, ndërsa në vitin 2024 ky numër ka rënë në rreth 18 mijë, dhe pritet të jetë pothuajse i njëjtë edhe në vitin 2025. Rënie drastike,” thekson Bytyçi.
Por sipas tij, edhe më shqetësuese se sa rënia numerike është fakti se shumica e maturantëve nuk po e zgjedhin më Universitetin e Prishtinës si zgjedhje të parë për studime – pavarësisht se ai ofrohet pa pagesë.
“Një universitet publik që neglizhohet nga studentët, ndërkohë që ata përzgjedhin institucione private me pagesë, duhet të jetë alarm për shtetin, universitetin dhe stafin e tij”, paralajmëron profesori.
Ai shton se nëse nuk ndryshon urgjentisht qasja e stafit akademik, kushtet për studentë, cilësia e programeve dhe mundësitë për praktikë profesionale, atëherë Universiteti i Prishtinës rrezikon të degradohet në një aktor periferik të sistemit arsimor në vend.
“Nëse shteti mendon se mund të funksionojë pa universitet publik, atëherë le ta pranojë këtë. Por nëse e konsideron interes kombëtar, atëherë duhet të ndërmarrë masa të mirëfillta. Dhe një nga masat që tashmë është dëshmuar se nuk funksionon është dhënia e bursave për regjistrim në programe.”
Bytyçi përfundon reagimin e tij me një thirrje për reflektim të thellë dhe hapje ndaj mendimeve të ish-studentëve dhe të rinjve që po zgjedhin të mos aplikojnë në UP, në mënyrë që përmes dialogut të përmirësohet pozita e universitetit publik në Kosovë.
“Shpresoj të reflektojmë dhe të marrim reagime që ndihmojnë përmirësimin e Universitetit të Prishtinës.” /Kosova.info/
