Cakolli kritikon përdorimin e chatGPT nga politikanët: Qytetarët nuk kanë votuar për një algoritëm
Eugen Cakolli nga KDI ka reaguar ashpër ndaj përdorimit të inteligjencës artificiale nga vendimmarrësit në politikë duke e konsideruar të dëmshëm përdorimin e saj si mjet për t’u arsyetuar para publikut.
“Mjer ai vend ku vendimmarrësit përdorin inteligjencën artificiale vazhdimisht për të paketuar qëndrimet dhe për t’ia shitur publikut arsyetimet politike – edhe kur ato rastësisht mund të jenë të sakta,” ka shkruar Cakolli në një postim.
Ai theksoi se është e pranueshme që ChatGPT të përdoret si një mjet ndihmës për strukturimin e mendimeve apo rafinimin e mënyrës së komunikimit. Por, sipas tij, është krejtësisht tjetër çështje që një politikan të mbështesë qëndrimet publike me përgjigje të gjeneruara nga inteligjenca artificiale.
“Në fund të ditës, qytetarët nuk kanë votuar për një algoritëm. As nuk i bind ndonjë qëndrim vetëm pse e ka shkruar një bot,” përfundoi Cakolli. /Kosova.info/
