Norvegjia afër fazës tjetër, Zvicra fiton dhe eliminon Islandën
Kombëtarja e Norvegjisë në futbollin e femrave është shumë pranë kualifikimit për në fazën tjetër të Kampionatit Evropian, pasi të dielën e ka mposhtur Finlandën me rezultat 2 me 1.
Fitorja është siguruar në minutën e tetëdhjetë e katërt, kur Caroline Graham Hansen ka shënuar golin vendimtar pas një aksioni individual. Më herët, Norvegjia kishte kaluar në epërsi që në minutën e tretë, pas një autogoli të Eva Nyström. Finlanda ka barazuar me një goditje të saktë të Oona Sevenius, por nuk ka arritur të përfitojë nga rastet e shumta, përfshirë edhe disa pritje vendimtare nga portierja norvegjeze.
Me këtë fitore, Norvegjia ka gjashtë pikë dhe e siguron kualifikimin nëse Zvicra merr të paktën një pikë ndaj Islandës.
Në ndeshjen tjetër të grupit, Zvicra ka shënuar fitore duke e mposhtur Islandën me rezultat 2 me 0.
Golat për Zvicrën i kanë shënuar Geraldine Reuteler në minutën e shtatëdhjetë e gjashtë dhe Alayah Pilgrim në fund të ndeshjes. Islanda ka goditur dy herë shtyllën, por nuk ka arritur të konkretizojë, ndërsa me këtë humbje e ka humbur mundësinë për të kaluar në fazën tjetër.
Zvicra tani ka tri pikë, aq sa edhe Finlanda, por është në vendin e dytë falë golaverazhit më të mirë. Të dyja do të përballen të enjten në një ndeshje vendimtare. Ndërkohë, Islanda është e eliminuar dhe ndeshjen e fundit do ta luajë ndaj Norvegjisë.
