Cakolli: Votimi i fshehtë nuk është zgjidhje, por burimi i bllokadës në Kuvend
Zyrtari i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka reaguar ashpër ndaj përpjekjeve të vazhdueshme për ta shtyrë përpara votimin e fshehtë në Kuvendin e Kosovës duke e quajtur këtë qasje një manipulim procedural që ka prodhuar vetëm bllokadë.
Përmes një reagimi publik, Cakolli ka hedhur poshtë pretendimin se votimi i fshehtë për përzgjedhjen e kryetares së Kuvendit përbën një “zgjidhje”. Sipas tij, është absurde që pas 34 përpjekjeve të dështuara – gjashtë herë më shumë se sa me votim të hapur – kjo procedurë të vazhdohet të paraqitet si rrugëdalje nga kriza.
“Është bërë tashmë e pakuptimtë, madje absurde, se si çdo ditë – herë nga një, herë nga një tjetër deputet i LVV-së – mbrohet pretendimi për votimin e fshehtë. Sidomos tani, kur vetë Kryesuesi, sipas instruksioneve politike, po e shet këtë si ‘zgjidhje’ të bllokadës,” ka deklaruar ai.
Cakolli thekson se jo vetëm që këto përpjekje nuk kanë sjellë rezultat, por ato janë të diskutueshme edhe nga aspekti ligjor e kushtetues. Ai kujton se mënyra e votimit nuk mund të ndryshohet gjatë seancës nga Kryesuesi, por vetëm në takimin përgatitor të thirrur nga ish-Kryetari dhe grupet parlamentare – takim i cili është mbajtur më 8 prill.
“Të këmbëngulësh për votim të fshehtë dhe ta shesësh si ‘zgjidhje’, kur në fakt është bërë burimi i bllokadës prej muajsh, është jo vetëm kontradiktore, por edhe manipulim procedural,” ka shtuar ai.
Në vend të këtij insistimi që ka prodhuar krizë, Cakolli bën thirrje për kthim te konsensusi dhe respektimi i vendimeve kolektive, siç parashihet edhe në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese – të cilin, sipas tij, LVV dhe Kryesuesi po e injorojnë me vetëdije. /Kosova.info/
