Muharremi: Hykmete Bajrami, zëri më i fuqishëm i qytetarëve – ende s’i ka 200,000 vota?

Analisti Shenoll Muharremi ka lavdëruar publikisht angazhimin e deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, për zbardhjen e rastit të tenderit të dyshimtë në vlerë prej 137 milionë eurosh në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) duke e cilësuar atë si një ndër zërat më të fortë dhe më kredibilë në politikën kosovare.

Sipas Muharremit, pezullimi i tenderit nuk do të kishte ndodhur nëse Bajrami nuk do ta kishte ngritur këtë çështje disa herë në publik. Ai ka kritikuar edhe mosfunksionalitetin e Kuvendit duke e lidhur atë drejtpërdrejt me rritjen e çmimit të energjisë dhe shtypjen e bizneseve vendore.

“Nuk di nëse do të ishte pezulluar tenderi i dyshimtë prej 137 milionë eurosh i KEK-ut, nëse deputetja dhe politikania më e fortë dhe më kredibile nuk do ta kishte ngritur këtë çështje disa herë publikisht. Sikur të ishte funksional Kuvendi, as çmimi i energjisë nuk do të ishte rritur dhe as zullumi që po u bëhet bizneseve nuk do të kishte qenë i mundur,” shkroi Muharremi.

Ai shprehet i habitur se si Hykmete Bajrami ende nuk ka marrë 200,000 vota në zgjedhje duke nënvizuar se ajo shpesh është zëri i vetëm dhe më i fuqishëm i qytetarëve, familjeve dhe sipërmarrjeve në Kosovë.

“Habitem si Hykmete Bajrami ende nuk i ka 200,000 vota. Apo ende nuk dimë si me votu? Jo vetëm për raste si kjo, por shpesh është zëri i vetëm dhe më i fuqishëm i qytetarëve, bizneseve vendore dhe familjeve kosovare. Vetëm çështje kohe,” ka përfunduar Muharremi. /Kosova.info/


Go to TOP