Muharremi: Strategjia “O krejt, o asgjë” ia humbi KREJT Kurtit dhe LVV-së
Analisti politik Shenoll Muharremi ka kritikuar ashpër strategjinë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit në zgjedhjet e 9 shkurtit duke e quajtur një bixhoz të rrezikshëm politik që ka rezultuar në humbje totale.
“Kurti po insiston disa herë duke thënë ‘jemi partia e parë’, por në demokraci parlamentare, është shumica ajo që ka rëndësi dhe vlerë”, shkruan Muharremi. Ai rikujton se strategjia e LVV-së ishte “O krejt, o asgjë”, një qasje që nënkuptonte fitoren absolute ose humbjen e gjithçkaje.
Sipas tij, LVV nuk arriti ta sigurojë shumicën dhe kësisoj, sipas rregullave që vetë i kishte vendosur, ka humbur. “Argumenti që je partia e parë nuk do të thotë asgjë – në fund vlen shumica parlamentare. Fitove shumë, por strategjia gabuar bëri që të humbësh gjithçka, si në kazino kur lakmon e nuk ngopesh me atë që fiton,” shkruan ai.
Muharremi paralajmëron se nëse Kurti dhe LVV vazhdojnë ta mbajnë vendin të bllokuar deri në prill 2026, mund të pësojnë humbje edhe më të mëdha në zgjedhjet e ardhshme. “Koha nuk po punon më për LVV e Kurtin, aspak,” përfundon ai.
Në këtë kontekst, analisti bën thirrje për kompromis dhe ndërtim të shumicës parlamentare, ndryshe, LVV duhet të kalojë në opozitë. /Kosova.info/
