Kryeziu me letër të hapur liderëve politikë: Kosova është një shtet në pauzë – është koha për zgjidhje dhe përgjegjësi
Aktivisti dhe qytetari i njohur i shoqërisë civile, Ismet Kryeziu, ka reaguar me një letër të hapur drejtuar liderëve të partive politike që përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës duke i bërë thirrje që t’i japin fund krizës politike dhe institucionale që ka paralizuar funksionimin e shtetit.
Në letrën e publikuar sot, Kryeziu shpreh shqetësimin për gjendjen aktuale, ku sipas tij, “Kosova është një shtet në pauzë”, ndërsa institucionet janë të bllokuara dhe Kuvendi nuk po funksionon.
“Ne ju kemi votuar për përfaqësim dhe përgjegjësi, jo për defunksionalizim të republikës dhe për shkaktim të krizave politike e institucionale,” thuhet në letrën e Kryeziut, e cila i drejtohet drejtpërdrejt krerëve të partive parlamentare.
Ai konsideron se takimi i paralajmëruar për sot është i vonuar dhe i pamjaftueshëm dhe kërkon nga liderët që të ndërmarrin një iniciativë serioze për ndërtimin e konsensusit politik, për të garantuar zgjedhjen e një kandidati të pranueshëm për të gjitha subjektet dhe konstituivin e Kuvendit.
Kryeziu paralajmëron se çdo vonesë në zgjidhjen e kësaj bllokade përbën rrezik të drejtpërdrejtë për ekonominë, mirëqenien sociale, menaxhimin e krizave, përfaqësimin ndërkombëtar dhe raportet me aleatët.
“Moskonstituivi i Kuvendit është sabotim i Republikës. Mungesa e vullnetit për zgjidhje dhe konsensus politik është abuzim me votën dhe besimin qytetar,” thekson ai.
Në përmbyllje, ai u bën thirrje të gjithë liderëve politikë të tregojnë zgjidhmëri, gatishmëri për kompromis dhe përgjegjësi politike duke vënë interesin e shtetit dhe të qytetarëve mbi interesat e ngushta partiake. /Kosova.info/
