Abdixhiku: Aktgjykimi e konfirmon – votim i hapur, konsensus e kompromis, jo bllokada
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me mënyrën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe konstituivin e tij. Ai tha se vendimi i sotëm e përforcon qëndrimin që LDK ka mbajtur vazhdimisht: votimi duhet të jetë i hapur, dhe rruga përpara është përmes konsensusit dhe kompromisit, siç kërkon demokracia funksionale.
“Votim i hapur – siç është vepruar gjithnjë – konsensus e kompromis – siç e kërkon demokracia e sjellja normale politike. Ky është thelbi i vendimit të sotëm. Kështu kishim kërkuar gjithnjë”, deklaroi Abdixhiku.
Ai shtoi se dhjetëra seanca janë humbur për shkak të, siç tha, “tekave të imponimit” që sot u shpallën jokushtetuese. Duke parë këtë si moment kthese, Abdixhiku u bëri thirrje subjekteve politike, e veçanërisht grupit më të madh parlamentar, që të respektojnë vendimin e Kushtetueses dhe të ndërpresin çdo bllokadë.
“Nga nesër, LDK pret që grupi më i madh parlamentar të veprojë në përputhje me këtë aktgjykim, t’i ndërpresë bllokimet dhe të kontribuojë në konstituivin sa më të shpejtë dhe të rregullt të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, përfundoi ai.
LDK ka theksuar vazhdimisht se funksionaliteti i institucioneve është themeli i stabilitetit politik dhe kushtetutshmërisë në vend. /Kosova.info/
