Gjykata mbron të drejtën e biznesit për energji – AKB kërkon barazi dhe respektim të vendimit nga ZRRE
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Komerciale të Kosovës, e cila ka pranuar padinë ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) duke miratuar kërkesën për caktimin e masës së sigurisë dhe shtyrjen e ekzekutimit të një vendimi që i ndalonte një biznesi furnizimin me energji nga shërbimi universal.
AKB e ka përshëndetur këtë vendim duke e cilësuar si një fitore të ligjshmërisë dhe një precedent të rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave të bizneseve kundër vendimeve arbitrare. “Ky vendim është dëshmi se ligji dhe drejtësia janë në anën e bizneseve kur ato përballen me padrejtësi nga institucionet publike”, thuhet në reagimin e AKB-së.
Sipas tyre, rasti nuk ka të bëjë vetëm me një kompani të vetme, por përfaqëson interesin e gjithë sektorit privat që kërkon qasje të barabartë dhe të drejtë në tregun e energjisë elektrike.
AKB i bën thirrje ZRRE-së të respektojë vendimin e gjykatës dhe të rishqyrtojë politikat e saj duke shmangur vendime që mund të dëmtojnë funksionimin e bizneseve, investimet dhe vendet e punës.
Në përmbyllje, AKB thekson se do të vazhdojë të jetë mbështetëse e fuqishme e çdo biznesi që përballet me padrejtësi institucionale duke mbrojtur interesin ekonomik të vendit. /Kosova.info/
