Bajrami: Po zbulohet mafia energjetike – Prokuroria Speciale të veprojë!
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj asaj që e quan zbardhje të strukturave të “mafisë energjetike” në Kosovë duke kërkuar hetim të menjëhershëm nga Prokuroria Speciale. Ajo i referohet hulumtimit të publikuar nga Buletini Ekonomik dhe gazetari Agon Sinanaj, që sipas saj po nxjerr në dritë krimet në sektorin e energjisë.
“Çdo ditë po vërtetohet struktura, organizimi dhe fushveprimtaria e mafisë energjetike,” shkroi Bajrami në një postim publik. Ajo hodhi akuza ndaj deputetit Albin Kurti dhe ministres Artane Rizvanolli duke i sfiduar që të demantojnë këtë hulumtim dhe të mbrojnë publikisht atë që ajo e quan “punë të jashtëzakonshme të gazetarit Sinanaj.”
Sipas saj, ndërkohë që Kurti dhe Rizvanolli lavdëroheshin me integrimin në bursën shqiptare të energjisë ALPEX, “në realitet Kosova po e blen rrymën direkt nga kompanitë NOA dhe EFT-ja e Vuk Hamoviqit.”
Bajrami theksoi se qeveria po e trajton ALPEX-in si dekor patriotik, ndërsa në prapaskenë, energjia po blihet nga kompani të lidhura me figura të dyshimta të rajonit. “Prokuroria Speciale duhet të hetojë dhe të nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që kanë ndikuar në këtë zinxhir krimi,” përfundoi ajo. /Kosova.info/
