Dhoma e Tregtisë alarmon për falimentime: Ligji për Pronën Publike po e shkatërron sektorin minerar
Grupi punues i sektorit minerar në kuadër të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DhTIK) ka mbajtur takimin e radhës, ku është diskutuar seriozisht ndikimi negativ i Ligjit për Pronën Publike në funksionimin e bizneseve në këtë sektor dhe më gjerë.
Kryetari i Bordit të DhTIK-së, Skënder Krasniqi, shprehu zhgënjimin ndaj institucioneve përgjegjëse, të cilat sipas tij po tregojnë mosgatishmëri për të ofruar zgjidhje, ndërkohë që shumë biznese po përballen me pasoja të rënda.
“Jemi dëshmitarë të një bllokade ligjore që po çon drejt falimentimit një numër të madh të bizneseve, ndërsa institucionet nuk po lëvizin për të zhbllokuar situatën,” theksoi Krasniqi.
Nga ana tjetër, drejtori i Dhomës, Kushtrim Ahmeti, informoi të pranishmit për hapat që janë ndërmarrë deri më tani nga DhTIK, ndërsa identifikoi si problem kryesor vonesat nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
“Sot pengesa kryesore është mungesa e ndryshimeve në Udhëzimin Administrativ për Qiradhënien e Tokave Pyjore Shtetërore, që vazhdon të mbahet pezull nga Ministria përkatëse,” tha Ahmeti.
Në përfundim të takimit, grupi punues vendosi që gjatë javës së ardhshme të organizojë një takim me të gjitha bizneset që janë goditur nga zbatimi i Ligjit për Pronën Publike. Qëllimi i këtij takimi do të jetë koordinimi për veprime të mëtejme dhe presioni ndaj institucioneve për të ndryshuar kornizën ligjore aktuale që, sipas tyre, po dëmton rëndë sektorin privat dhe zhvillimin ekonomik të vendit. /Kosova.info/
