Brahimaj: Po e presim vendimin e Kushtetueses
Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lahi Brahimaj, ka deklaruar se partia e tij është e kënaqur me rrjedhën e përgatitjeve për zgjedhjet lokale, ndërsa ka theksuar se për çështjet në Kuvendin e Kosovës, janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
I pyetur nëse partia do të angazhohet në dy pjesët, në zgjedhjet lokale dhe me problemet në konstituimin e Kuvendit, ai tha se për këtë të fundit, mungon gatishmëria nga palët e tjera politike, dhe në këtë drejtim po presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Në dy pjesët, ata nuk kanë shprehur ndonjë gatishmëri, të shohim. Po presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese (para vendimit të Gjykatës nuk besoj se ka ndonjë zhvillim)”, ka thënë ai.
Deputeti Brahimaj ka folur edhe për përgatitjet e për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
“Ne jemi të kënaqur me zhvillimet që po ndodhin në degët, shumica kandidatëve janë caktuar. Për komunat tjera janë duke u identifikuar emrat potencial që do të garonin nga AAK”, ka theksuar ai.
