Lamtumirë Beqë Ganijaj: LDK i jep nderimet e fundit veprimtarit të palodhur të saj
Me dhimbje të madhe dhe krenari për jetën e tij të përkushtuar, sot iu dha lamtumira e fundit veprimtarit të shquar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Beqë Ganijaj. Ceremonia mortore u shënua me nderime dhe respekt të thellë nga familja, miqtë, bashkëveprimtarët dhe përfaqësues të institucioneve e partisë që ai i shërbeu me përkushtim.
“Porosinë që të vorrosesh me flamurin Dardan e çuam në vend, vëllai ynë i dashur! Nderuam dëshirën tënde të fundit me krenari, siç nderuam gjithmonë shpirtin tënd të bardhë”, shkroi Skënder Shehu nga dega e LDK-së në Zvicër, në një mesazh emocional kushtuar mikut të tij të ndjerë.
Beq Ganijaj u përshkrua si një shembull i rrallë i përkushtimit qytetar dhe politik, që dha shumë për idealet e lirisë, demokracisë dhe zhvillimit të vendit, pa kërkuar kurrë asgjë për vete. Ai ishte gjithmonë aty ku kërkohej urtësia, përvoja dhe dashuria për Atdheun.
Në emër të LDK-së, kryetari Lumir Abdixhiku dërgoi një telegram ngushëllimi dhe një kurorë lulesh, gjest që u vlerësua lartë nga të pranishmit. Po ashtu, në ceremoninë e varrimit morën pjesë deputetët Anton Quni, Armend Zemaj dhe Fadil Hadergjonaj duke dëshmuar respektin institucional dhe njerëzor për figurën e Ganijajt.
Skënder Shehu falënderoi të gjithë ata që ndanë këtë moment të dhimbshëm me familjen Ganijaj dhe shprehu bindjen se trashëgimia e Beq Ganijajt do të jetojë përmes veprave dhe kujtimeve që ai ka lënë pas.
“U prehsh në paqe, Beq. Trashëgimia jote do të jetojë në punët që ke bërë dhe kujtimet që ke lënë,” përfundon mesazhi prekës i Shehut. /Kosova.info/
