Presidenca nderon jetën dhe veprën e Bujar Bukoshit
Në emër të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, këshilltarët e saj, Ismet Krasniqi dhe Gjeneral Brigade Sefer Isufi, morën pjesë në ceremoninë komemorative dhe varrimin e ish-Kryeministrit të parë të Republikës së Kosovës, Bujar Bukoshi.
Presidentja Osmani, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Japoni, përmes përfaqësuesve të saj, nderoi figurën dhe veprën jetësore të Bukoshit.
Në emër të saj, këshilltarët vendosën një kurorë me lule dhe përcollën mesazhin e saj të mirënjohjes dhe respektit për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në rrugën drejt lirisë dhe shtetndërtimit të Kosovës, njofton Presidenca.
Me rastin e ndarjes nga jeta të Bukoshit, Presidentja Osmani i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Bukoshi, duke shprehur dhimbjen e thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë, bashkëpunëtorët dhe gjithë qytetarët e Kosovës. /Kosova.info/
