DhTIK kundërshton caktimin e KEK-ut si FMF: Vendim i dështuar, rrezikon bizneset dhe punëtorët
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DhTIK) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të fundit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), i cili në mbledhjen e së enjtes caktoi Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) si Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF) për periudhën 31 gusht 2025 – 31 janar 2026.
Sipas DhTIK, ky vendim përfaqëson një përpjekje për të mbuluar dështimet që kanë pasuar vendimin arbitrar dhe të papërgatitur për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike. “Ky proces është nisur në mënyrë të ngutshme, pa analizë gjithëpërfshirëse dhe pa përgatitje institucionale,” thuhet në reagim.
DhTIK rithekson qëndrimin e saj të kahershëm se liberalizimi i tregut duhet të shtyhet për të paktën një vit. Kjo, sipas Dhomës, do të krijonte kohë për përgatitje serioze në aspektin teknik, ekonomik dhe ligjor për një tranzicion të drejtë dhe të suksesshëm.
“Bizneset po mbyllen, punëtorët po mbesin pa punë, investimet po anulohen. Këto janë pasoja direkte të një qasjeje të papërgjegjshme ndaj reformës së tregut të energjisë,” theksohet në reagim.
DhTIK kujton gjithashtu se edhe Bashkimi Evropian ka ngritur shqetësime mbi mënyrën e realizimit të liberalizimit duke sugjeruar një qasje me faza dhe duke ofruar mbështetje financiare për këtë tranzicion.
Dhoma u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të reflektojnë mbi këto pasoja dhe të angazhohen për një proces të planifikuar dhe gjithëpërfshirës, që mbron interesin e bizneseve dhe qytetarëve të Kosovës. /Kosova.info/
