OEK: Bizneset do të kenë furnizim të garantuar me energji për 60 ditë nga KEK si Furnizues i Mundësisë së Fundit

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka njoftuar se më 9 qershor ka zhvilluar një takim konstruktiv me Ushtruesin e Detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), z. Gramos Hashani, dhe ekipin e tij, për të diskutuar zbatimin e Rregullores së Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në lidhje me Furnizuesin e Mundësisë së Fundit (FMF).

Në këtë takim, z. Hashani theksoi se KEK, si furnizues i FMF-së, garanton se nuk do të ndërpresë furnizimin me energji elektrike për asnjë biznes për një periudhë minimale prej 60 ditësh, edhe nëse brenda kësaj kohe nuk është lidhur kontratë me KEK-un.

Ky afat konsiderohet si një periudhë mbrojtjeje për bizneset duke i lënë atyre kohë të mjaftueshme për të gjetur furnizues të rinj të energjisë dhe për të siguruar vazhdimësi në furnizim pa rreziqe apo pasiguri.

KEK gjithashtu ka bërë të ditur se ofron kontrata komerciale për bizneset që dëshirojnë të mbeten të lidhura drejtpërdrejt me këtë operator në tregun e hapur të energjisë.

OEK thekson rëndësinë e bashkëpunimit të afërt ndërmjet institucioneve energjetike dhe komunitetit të biznesit dhe inkurajon anëtarët e saj të shfrytëzojnë këtë periudhë 60-ditore për të marrë vendime të qëndrueshme për furnizimin me energji.

Për çdo paqartësi apo nevojë për mbështetje, Oda Ekonomike e Kosovës mbetet e gatshme t’u ofrojë ndihmë anëtarëve të saj. /Kosova.info/

Go to TOP