Rama nderon guximin e Ramadan Nishorit: Liria është detyrim ndaj së vërtetës dhe drejtësisë
Në prag të përvjetorit të çlirimit të Prishtinës, Kryetari i Komunës, Përparim Rama, ka kujtuar me nderim dhe reflektim historinë e dhimbshme të Kosovës duke vënë theksin tek plagët e luftës – ato fizike dhe ato shpirtërore.
Përmes një deklarate publike, Rama ka vlerësuar guximin e rrallë të Ramadan Nishorit, burrit të parë që ka pranuar publikisht se është viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ai theksoi se ky akt i rëndësishëm i Nishorit është një hap i madh drejt shërimit kolektiv dhe ndërtimit të një shoqërie të drejtë dhe të qëndrueshme.
“Lufta e fundit la jo vetëm plagë fizike, por edhe plagë shpirtërore që na kujtojnë se liria ka çmim të lartë,” tha Rama duke shtuar se “përballja me të kaluarën është hapi i parë drejt drejtësisë.”
Rama përfundoi mesazhin e tij duke deklaruar se liria nuk është vetëm një fjalë, por një detyrim i përhershëm ndaj të vërtetës dhe drejtësisë.
“Respekt për guximin tënd, z.Nishori,” përfundon mesazhi i Kryetarit të Prishtinës. /Kosova.info/
