Tahiri: Katër muaj pas zgjedhjeve, Kosova në bllokadë institucionale – kjo gjendje nuk guxon të normalizohet
Katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve, Kosova ende nuk ka një Kuvend të konstituuar, situatë që po shihet si bllokadë serioze funksionale nga nënkryetari i AAK-së, Besnik Tahiri. Përmes një reagimi publik, Tahiri ka ngritur alarmin për pasojat që po shkakton kjo gjendje në funksionimin demokratik të vendit.
“Rrafsh katër muaj pas zgjedhjeve, ende nuk kemi konstituiv të Kuvendit. Kjo situatë nuk guxon të normalizohet. Shteti është në bllokadë funksionale, pa përfaqësim dhe pa vendimmarrje institucionale,” ka deklaruar ai.
Sipas Tahirit, vendi po përballet me një krizë të thellë politike që po e minon sistemin demokratik dhe besimin e qytetarëve në institucione. “Kredibiliteti institucional po zbehet çdo ditë. Pa institucione të zgjedhura, nuk ka as demokraci, as shtet funksional,” shtoi ai.
Ai ka paralajmëruar se, përveç pasojave të brendshme, kjo situatë po dëmton edhe raportet ndërkombëtare të Kosovës: “Kosova po e humb fuqinë dhe autoritetin e saj, si brenda vendit, ashtu edhe në raport me partnerët ndërkombëtarë.”
Tahiri e ka përmbyllur reagimin me një kërkesë të qartë për zgjidhje të menjëhershme: “Kjo gjendje duhet të marrë fund urgjentisht.” /Kosova.info/
