Humbja ndaj Norvegjisë kushton, shkarkohet trajneri Spalletti

Trajneri i kombëtares së Italisë, Luciano Spalletti, ka konfirmuar largimin nga detyra pas humbjes së 3-0 ndaj Norvegjisë. 

Në një konferencë për shtyp të mbajtur në prag të përballjes me Moldavinë, Spalletti ka treguar se ishte presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, ai që i kishte komunikuar shkarkimin.

“Biseduam mbrëmë dhe ai më informoi se do të shkarkohem nga posti i trajnerit të kombëtares. Më vjen keq, sepse nuk kam pasur ndërmend të dorëhiqem, sidomos në një moment të vështirë si ky. Por më duhet ta pranoj vendimin dhe ta bëj zyrtare”, ka thënë Spalletti.

Trajneri italian, i cili kishte marrë drejtimin e “Azzurrëve” me synimin për t’i kthyer ata në majat e futbollit botëror, është shprehur se e kishte konsideruar gjithmonë këtë rol si një shërbim ndaj vendit. “Kam vendosur ta anuloj kontratën time. Nesër mbrëma do të jem në pankinë ndaj Moldavisë për herë të fundit”, ka theksuar ai.  

Spalletti, që më parë kishte arritur sukses me Napoli, e ka marrë përgjegjësinë për rezultatet zhgënjyese të fundit. “I dua lojtarët dhe këtë fanellë. Më dhemb që nuk arrita të sjell lojën që kisha imagjinuar. Isha i vetëdijshëm që do të kishte momente të vështira. Fatkeqësisht, nuk ia dola”, ka thënë ai.  

Humbja ndaj Norvegjisë ka vënë seriozisht në rrezik pjesëmarrjen e Italisë në Kupën e Botës, ndërkohë që Federata Italiane pritet të emërojë një trajner të ri në ditët në vijim.


Go to TOP