Norvegjia i mban leksion Italisë
Norvegjia ka kaluar me sukses një nga pengesat më të mëdha në rrugën drejt një kualifikimi të parë në Kupën e Botës që nga viti 1998, duke e mposhtur Italinë me rezultat bindës 3-0, fitorja e tretë radhazi në Grupin C.
Ndërkohë, Italia vazhdon pa fitore në katër ndeshje të fundit në të gjitha kompeticionet.
Brenda pesëmbëdhjetë minutave të para norvegjezët kanë kaluar në epërsi, kur Alexander Sorloth ka mposhtur portierin Gianluigi Donnarumma.
Nën shiun e dendur në Oslo, italianët kanë hasur vështirësi për të ndërtuar ndonjë reagim që do ta kthente rezultatin. Rasti i vetëm në pjesën e parë ka qenë një gjuajtje e Giacomo Raspadori nga një pozitë e vështirë e që ka përfunduar mbi traversë.
Në anën tjetër, Donnarumma ka bërë një pritje pranë shtyllës për të ndalur një tjetër rast të Sorloth, por në aksionin pasues, Nusa e ka dyfishuar epërsinë.
Norvegjia përjetoi një pjesë të parë fantastike, ku pak para pushimit, Martin Odegaard ka lëshuar një pasim për Erling Haaland, i cili me një prekje e ka kaluar poriterin Donnarumma, duke e shënuar golin e tij të dyzet e një me fanellën e Norvegjisë, për rezultatin përfundimtar 3-0.
Megjithëse ishin më të mirë në pjesën e dytë, italianët prapë nuk kanë rrezikuar. Skuadra e Luciano Spalletti ka ofruar shumë pak në sulm dhe e ka regjistruar goditjen e parë drejt portës vetëm në kohën shtesë, kur Orjan Nyland e ka ndalur një goditje me kokë të Lorenzo Luccas.
Pavarësisht kësaj humbje në ndeshjen e parë të fushatës kualifikuese, për Italinë ende nuk është vonë për ta shmangur një tjetër dështim për kualifikim.
