Bizneset kërkojnë tranzicion të drejtë në tregun e lirë të energjisë, paralajmërojnë protestë më 11 qershor

Në një takim të mbajtur sot me përfaqësues të bizneseve të prekura nga vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për kalimin në tregun e lirë të energjisë elektrike, u kërkua nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe vetë ZRrE që të reflektojnë dhe të adresojnë kërkesat e sektorit privat.

Bizneset theksuan nevojën për një fazë tranzicioni të qartë dhe të dakorduar, për të përgatitur tregun me më shumë ofertues, si dhe për të garantuar konkurrencë të drejtë dhe transparente. Gjatë kësaj periudhe, u propozua hartimi i një pakete mbështetëse që do të inkurajonte investimin në panele solare dhe bateri, si dhe eliminimi i kufizimeve aktuale që pengojnë shfrytëzimin, futjen në rrjet apo shitjen e energjisë së prodhuar nga vetë bizneset.

Sipas bizneseve, kjo do të krijonte kushte për investime të qëndrueshme dhe dalje graduale në tregun e lirë të energjisë, në harmoni me institucionet përkatëse.

Disa biznese njoftuan se kanë ndërprerë punën që nga data 1 qershor, të tjera kanë nisur reduktime të kapaciteteve, ndërsa shumica paralajmëruan se, në mungesë të ndryshimeve, nga 1 korriku i vitit 2025 do të detyrohen të ndalojnë aktivitetin apo të reduktojnë ndjeshëm numrin e punëtorëve. Ata shprehën gjithashtu shqetësimin për presionin nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), e cila sipas tyre ka paralajmëruar ndërprerje të furnizimit në rast të mosnënshkrimit të kontratës duke rritur pasigurinë në treg.

Në këtë drejtim, KEK-ut iu bë thirrje që të ofrojë më shumë transparencë dhe informim për ofertën e saj komerciale, në mënyrë që bizneset të kenë më shumë zgjedhje për furnizim të qëndrueshëm me energji.

Në rast të mungesës së reflektimit institucional, është paralajmëruar organizimi i një proteste të madhe nga sektori privat, të mërkurën, më 11 qershor 2025, në sheshin qendror të Prishtinës. Në këtë protestë do të marrin pjesë pronarë dhe punëtorë të kompanive, të cilët do të kërkojnë një zgjidhje të drejtë, të qëndrueshme dhe të zbatueshme për kalimin në tregun e lirë të energjisë. /Kosova.info/


Go to TOP