DhTIK mirëpret qëndrimin e BE-së për liberalizimin e energjisë: Procesi me shkelje të rënda, bizneset po dëmtohen rëndë
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës (DhTIK) mirëpret qëndrimin e shprehur të Bashkimit Evropian në lidhje me procesin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në Kosovë duke e konsideruar atë si një konfirmim të drejtpërdrejtë të shqetësimeve dhe vërejtjeve që kjo Dhomë i ka shprehur në vazhdimësi.
Qëndrimi i BE-së vërteton se ky proces është zhvilluar me një sërë mangësish dhe në kundërshtim me praktikat dhe legjislacionin evropian. Sipas vlerësimeve të BE-së, marrëveshja mes Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe furnizuesit KESCO është në kundërshtim me legjislacionin e BE-së, me rregullat e Komunitetit të Energjisë, si dhe nuk përputhet me parimet e konkurrencës së lirë dhe ndalimit të ndihmave shtetërore.
Përkundër qëndrimit të Qeverisë së Kosovës, e cila nuk ka treguar vullnet për të ndërhyrë në këtë proces problematik, Bashkimi Evropian ka shprehur gatishmëri për ta mbështetur Kosovën në përmirësimin e këtij procesi përmes një fondi prej 28.2 milionë eurosh, i cili duhet të orientohet në përmirësimin e sistemit dhe garantimin e qasjes së drejtë dhe të barabartë në treg.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës rithekson se mënyra e deritashme e liberalizimit të tregut të energjisë ka qenë e përcjellë me shkelje të rënda ligjore dhe procedurale. Për këtë arsye, DhTIK ka paraqitur padi ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Gjykatën Themelore në Prishtinë duke kërkuar adresimin institucional të këtyre shkeljeve.
Ndërkohë, pasojat e këtij procesi të gabuar tashmë po ndihen fuqishëm në sektorin privat. Bizneset në Kosovë janë duke u përballur me kosto të larta, paqëndrueshmëri në furnizim dhe kushte të padrejta duke vënë në rrezik qëndrueshmërinë e tyre financiare dhe mijëra vende të punës.
Thirrje për reflektim urgjent nga Qeveria
Përballë kësaj situate të rënduar, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të reflektojë me urgjencë dhe të ndërmarrë hapa konkretë për të korrigjuar procesin e liberalizimit të energjisë elektrike në përputhje me parimet e konkurrencës së lirë, transparencës dhe legjislacionit të BE-së.
Procesi i liberalizimit nuk guxon të shndërrohet në monopol të ri, të përkrahur me instrumente shtetërore, në dëm të interesit të përbashkët ekonomik dhe zhvillimit të qëndrueshëm të vendit. /Kosova.info/
