Ambasadori Britanik viziton IPK-në, shpreh mbështetje për forcimin e integritetit policor

Kryeshefi Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Kushtrim Hodaj, priti sot në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, z. Jonathan Hargreaves.

Gjatë takimit, Hodaj e informoi Ambasadorin Hargreaves për aktivitetet kryesore të IPK-së, të arriturat institucionale dhe sfidat me të cilat përballet ky institucion në mbikëqyrjen e punës së Policisë së Kosovës dhe trajtimin e ankesave të qytetarëve.

Ambasadori britanik falënderoi Kryeshefin Hodaj për pritjen dhe shprehu vlerësim të lartë për angazhimin e vazhdueshëm të IPK-së në fuqizimin e integritetit policor dhe zbatimin e standardeve të larta të llogaridhënies dhe profesionalizmit brenda sistemit të sigurisë.

Të dyja palët mirëpritën mundësinë për të forcuar bashkëpunimin ekzistues ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe IPK-së, në funksion të përmirësimit të mëtejmë të transparencës dhe besimit qytetar në institucionet e zbatimit të ligjit në Kosovë. /Kosova.info/


Go to TOP