Xhemajl Rexha zgjidhet anëtar i Bordit Drejtues të Federatës Evropiane të Gazetarëve

Në Kongresin Zgjedhor të Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), mbajtur më 2–3 qershor 2025 në Budapest, për herë të parë në historinë e kësaj organizate, një përfaqësues nga Kosova është zgjedhur anëtar i Bordit Drejtues të EFJ-së. Kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, është zgjedhur në këtë pozitë të rëndësishme duke shënuar një moment historik për përfaqësimin e gazetarëve kosovarë në skenën evropiane.

Kjo ishte hera e parë që EFJ mbajti një takim statutor në Hungari, ku morën pjesë mbi 120 gazetarë dhe përfaqësues sindikalë nga 38 vende të Evropës. Gjatë këtij takimi u zgjodhën 7 nga 11 kandidatët për anëtarë të Bordit Drejtues për një mandat trevjeçar. Përveç Rexhës, në Bord u zgjodhën edhe: Andrea Roth (DJV, Gjermani), Allan Boye Thulstrup (DJ, Danimarkë), Renske Heddema (NJV, Holandë), ntonis Repanas (ESIEMTH, Greqi), Aise Banu Tuna (TGS, Turqi) dhe Sergiy Tomilenko (NUJU, Ukrainë).

Po ashtu, Maja Server u zgjodh Presidente e re e EFJ-së, ndërsa Pablo Auiqel Garbarini (SNJ-CGT, Francë) u emërua Nënkryetar.

Roli i Bordit Drejtues të EFJ-së

Bordi Drejtues është organi më i lartë ekzekutiv i EFJ-së, i cili përfaqëson rreth 300 mijë gazetarë anembanë kontinentit. Ky bord ka mandat të mbikëqyrë implementimin e politikave, të miratojë buxhetin dhe të sigurojë që aktivitetet e organizatës të jenë në përputhje me objektivat strategjike të federatës. Anëtarët e tij luajnë rol kyç në mbrojtjen e interesave të gazetarëve në nivel evropian dhe në garantimin e funksionimit efikas dhe transparent të federatës.

Një hap i madh për gazetarinë kosovare

Zgjedhja e Xhemajl Rexhës në këtë pozitë shënon një njohje të drejtpërdrejtë për punën e AGK-së në mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve dhe në promovimin e lirisë së shprehjes në Kosovë. Kjo përfaqësim i jep gazetarëve të Kosovës një zë më të fuqishëm në arenën ndërkombëtare dhe krijon hapësira të reja për bashkëpunime ndërkombëtare, avancimin e standardeve profesionale dhe mbrojtjen e etikës në gazetari. /Kosova.info/


Go to TOP