Vetëm 5 ofertues, bizneset ankohen për energjinë e shtrenjtë
Vetëm 5 operatorë energjetikë, nga gjithsej 21 sa janë të licencuar në Kosovë, janë të përgatitur për t’i furnizuar bizneset me kalimin në tregun e lirë energjetik. Por, përfaqësues të bizneseve thonë se ofertat që po i marrin për furnizim me rrymë janë shumë të larta, teksa edhe po refuzojnë që të lidhin një marrëveshje me këta operatorë. Nga ZRRE nuk ndryshojnë qëndrim, andaj vendimi do të hyjë në fuqi nga 1 qershori.
Nga 21 operatorë energjetikë të licencuar në Kosovë, vetëm 5 prej tyre kanë dhënë oferta për furnizim të bizneseve me kalimin në tregun e lirë energjetik. Përfaqësues të bizneseve thonë se ofertat që kanë marrë janë për mbi 200% më të shtrenjta se çmimi aktual i energjisë.
Edhe pse u ka mbetur vetëm një ditë kohë për kalim në tregun e hapur, disa prej bizneseve po refuzojnë që të lidhin marrëveshje me ndonjërin prej operatorëve energjetikë.
Përfaqësues të bizneseve thonë se operatorët që janë shprehur të gatshëm për t’i furnizuar me energji elektrike janë: KEDS, KESCO, Future Energy Trade, Enerco LL.C dhe MCM Commodities.
Nga operatori Enerco i kanë thënë RTK-së se kanë përgatitur një draft-ofertë megjithëse nuk kanë treguar se me çfarë çmime po synojnë t’ua shesin energjinë atyre.
“Kompania ka hartuar një draft oferte për konsumatorët që plotësojnë kriteret për të furnizuar në treg të hapur, dhe në të përfshihen të gjitha aspektet që tu mundësohet konsumatorëve furnizim i rregullt dhe me çmime konkurruese. Presim që në ditët në vijim të konkludojmë kontratat përkatëse, por deri tani nuk mund të shpalosim ndonjë detaj pasi jemi në procese të negocimit”,, thuhet në reagimin e ENERCO LLC.
Edhe pse bizneset po insistojnë që vendimi për kalim në treg të hapur të shtyhet, nga ZRRE thonë se i njëjti është i bazuar në analiza teknike dhe ekonomike.
“Të gjitha vendimet e ZRRE-së, përfshirë ato që kanë të bëjnë me çmimet e energjisë dhe kalimin në tregun e lirë, janë të bazuara në analiza teknike dhe ekonomike të përgatitura nga stafi profesional i institucionit. Para çdo vendimmarrjeje, këto analiza i nënshtrohen procesit të konsultimit publik, ku palët e interesit përfshirë konsumatorët, bizneset dhe institucionet kanë mundësi të japin komentet dhe rekomandimet e tyre. Kjo siguron transparencë të plotë dhe përfshirje të gjerë në procesin rregullator”, thuhet në deklaratën e ZRRE-së.
Përfaqësues të bizneseve tash e një kohë po insistojnë në shtyrjen e vendimit për të paktën një vit derisa edhe ata edhe operatorët e tjerë të kryejnë përgatitjet e nevojshme.
